City ofron 75 milionë euro për dyshen e Napolit
Manchester, 1 mars - Roberto Mançini ka në plan të formojë një sulm me pamje tjetër sezonin e ardhshëm. Klubi i Manchester City është gati të bëjë një ofertë për dyshen e Napolit, Ezequiel Lavezzi dhe Edinson Cavani.
Për sulmuesin uruguaian janë gati plot 50 milionë euro, fond i cili është miratuar nga sheiku Mansur. Këtë detaj e zbulon pikërisht menaxheri i Carlos Tevez.
Ndërkohë, për argjentinasin janë gati 25 milionë euro. Bëhet fjalë për të mbushur arkën e Napolit me 75 milionë euro, gjithsesi gjysmën e kësaj shifre klubi anglez pritet ta përfitojë nga largimet që do bëjë, pikërisht për shitjen e kartonit të Santa Cruz, Adebayor dhe Tevez.
Reparti ofensiv për sezonin e ardhshëm pritet të jetë Lavezzi-Aguerro-Cavani, por më parë trajneri Roberto Mançini duhet të fitojë titullin kampion në Angli, për të mos rrezikuar shkarkimin.
Në fakt, merkatoja e City-t parashikohet të jetë sërish shumë aktive, pasi jo vetëm që pritet të vijnë lojtarë cilësorë, por është një listë e gjatë me futbollistë që nuk hyjnë në planet e klubit.