City, gati 65 milion euro për Falcaon
Manchester, 9 tetor - Radamel FalCao mund të jetë futbollist i Manchester City-t që në merkaton e janarit. Sulmuesi kolumbian vazhdon të magjepsë me Atletico Madrid, duke drejtuar ekipin drejt rezultateve pozitive dhe shënuar thuajse në çdo ndeshje.
Në ndeshjen e ditës së diel, bomberi kolumbian kishte një \"vëzhgues\" special në shkallët e stadiumit, i cili ishte pikërisht trajneri i kampionëve të Anglisë, Roberto Mançini.
Tekniku italian kishte vendosur ta ndiqte nga afër lojtarin, për të qenë më i bindur mbi kualitetin që zotëron ai. Madje, Radamel e përshëndeti me një gol.
Të pyetur mbi vizitën e Mançinit, drejtuesit e \"Los Colchoneros\" ironizuan duke thënë: \"Ndoshta ka ardhur në Spanjë për të blerë një shtëpi në bregdet. Ne nuk dimë gjë për vizitën e tij\".
Por, media iberike dhe ajo britanike kanë arritur të zbulojnë planin që kanë \"milionerët\". Sheiku Al- Thani ka dhënë OK-in për të bërë blerje në merkaton e janarit dhe pritet të bëhet vetëm një goditje, por me kosto të lartë.
Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo, ëndrrat e pronarit të Sitit, nuk janë të disponueshëm për tu transferuar. Si rrjedhojë, klubi anglez është vënë në kërkim të një tjetër ylli dhe ka shënjestruar pikërisht Falcaon. Aftësia e tij për të finalizuar aksionet është mbresëlënëse dhe ka një produktivitet të lartë prej disa sezonesh.
Mendohet se Mançini ka dhënë aprovimin e tij për ta pasur në skuadër dhe oferta e parë do të jetë prej 65 milionë eurosh. Një shifër që vështirë të refuzohet nga madrilenët, të cilët janë edhe në kushte të vështira financiare.
Nëse janë të interesuar spanjollët, në tratativa mund të futet edhe Edin Dzeko, i cili tashmë i ka bërë gati valixhet dhe po kërkon një aventurë të re.
Por, me ardhjen e bomberit kolumbian, në repartin sulmues mund të sakrifikohet edhe Mario Balotelli, i cili ka qenë më shumë një problem me sjelljen e tij, sesa një lojtar që ka nxjerrë nga situata ekipin.
Me dy largime të tilla, Manchester City do e ketë më të lehtë për të garantuar paratë për \"El Tigre\", edhe pse ata nuk kanë pasur asnjëherë probleme me financat.