Chelsea në krizë portierësh para Interit, Zhirkov gati
Londër, 14 mars - Chelsea e sheh veten në krizë portierësh përpara sfidës me Interin, në takimin e kthimit për 1/8 e Champions League. Pas Petr Çeh, është dëmtuar edhe Hilario, i cili ka probleme muskulore.
Në ndeshjen e djeshme kundër Uest Hemit, në portë u aktivizua gardiani i tretë Ros Turnbull (ndërsa në stol qëndroi i riu Rhi Tejlor, i cili luan në skuadrën rezervë).
Por, shqetësimi më i madh është për përballjen e së martës, kur blutë e drejtuar nga Ançeloti do të luajnë përballë Zhoze Murinjos dhe do të kërkojnë të përmbysin humbjen 2-1 të pësuar në ndeshjen e parë.
Ndërkohë, në krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku mungon Eshli Kol, është rikthyer rusi Zhirkov.