Chelsea gati të ofroj 64 milionë euro për kartonin e Ribery
Londër, 27 nëntor - Chelsea ëndërron të sjellë në Stamford Bridge, Franck Ribery. Roman Abramovich ka vendosur të bëjë gjithçka për të mundësuar këtë transferim të futbollistit të Bayernit në kryeqytetin britanik.
Sipas asaj që publikohet te Daily Mail, manjati rus i kampionëve të Premier Ligës është gati t\'i ofrojë klubit bavarez 64 milionë euro për kartonin e Ribery, ndërkohë që për vetë lojtarin ka përgatitur një kontratë prej 285 mijë euro në javë që do ta bënte francezin futbollistin më të paguar në Angli.
Por, problemi në këtë pikë qëndron në faktin se pavarësisht kësaj oferte të rëndësishme, njerëzit e merkatos së Chelseat nuk do ta kenë të lehtë të bindin drejtuesit e Bayernit për të lejuar Ribery të largohet nga Bavaria edhe pse prej 4 vitesh flitet për largimin e tij të mundshëm nga kampionët e Gjermanisë.
Gjithnjë sipas Daily Mail shpresa e Chelseat në këtë pikë mbahet te vullneti i vetë Ribery. Së fundmi, francezi duket se nuk po e pëlqen më qëndrimin te Bayerni dhe kjo edhe për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme që ka pësuar duke u detyruar të qëndrojë jashtë fushave të lojës për një periudhë të gjatë.