Cana do të largohet nga Lazio
Paris, 8 dhjetor - Sirenat për një largim të Lorik Canës po bëhen gjithmonë edhe më të zhurmshme në mediat italiane.
Madje atyre po u bëjnë jehonë edhe ato franceze, ku dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare ka shpenzuar shtatë vite të karrierës së tij sportive si futbollist profesionist në radhët e Paris Saint Germain dhe Olimpik Marseille.
Lorik Cana, i konsideruar si një nga blerjet e bujshme verore të Lazios, me sponsorizimin e ish-kapitenit kuqezi, Igli Tare, aktualisht në rolin e Drejtorit Sportiv dhe numri dy i klubit lacial, ndoshta po kalon një nga momentet më të errëta të karrierës së tij, duke dëshmuar se nuk është përshtatur si duhet me futbollin italian.
Vetëm 116 minuta në 5 ndeshje të luajtura nga 13 të mundshmet dhe vetëm një herë titullar, do të thotë shumë pak për Lorikun, i cili pretendon më shumë nga aftësitë e tij profesionale, gjë që e ka demostruar në Francë, Angli dhe së fundmi në Turqi.
Por ende nuk përmenden emra klubesh që mund të interesohen për shërbimet e mesfushorit shqiptar nga Prishtina.