Bundesliga, tifozët kërkoojnë uljen e çmimeve të biletave
Dortmund, 18 janar - Tifozët e Borussia Dortmund do të protestojnë së bashku me ata të Hamburgut kundër çmimeve abuzive të biletave për ndeshjet e Bundesligës.
Të gjithë duhet të kenë të drejtën të shohin ndeshjet e futbollit, është shprehur Marc Quambush, lideri i tifozëve verdhezinj për Bild.
Në fakt Gjermania ka çmimet më të ulta të biletave nga të gjitha kampionatet e mëdha europiane. Për ndeshjen Hamburg-Borussia Dortmund çmimet e biletave do të variojnë nga 36 deri në 84 euro.
Për Klasiken e të mërkurës në Spanjë, Real Madrid-Barcelona, çmimet variojnë nga 55 deri në 135 euro. Të shtunën, italianët paguan 50-150 euro për derbin Milan-Inter dhe çmime të ngjashme gjejmë edhe në kampionatin anglez të futbollit.
Por, kjo gjë nuk i bind tifozët gjermanë. Ata theksojnë se futbolli nuk po e shikon realitetin dhe krizën që po kalon Europa. Cmimet nuk korrespondojnë me situatën e dobët ekonomike të njerëzve dhe kjo gjë duhet marrë parasysh.
Protesta e tifozëve do të konsistojë në bojkotin e ndeshjes në 10 minutat e para e më pas, pasi të kenë hyrë në stadium, do të vazhdojnë protestat aty.
Edhe pse të pakënaqur, gjermanët janë ata që kanë ndjekur më shumë futboll në stadiume në këto dy vitet e fundit.