Botohet libri për veprimtarinë sportive të Aziz Salihut
Prishtinë, 19 gusht - Së shpejti pritet të jetë në duart e lexuesve libri Kush është Aziz Salihu, të tjerët flasin për te, ndërsa qëllimi i botimit të këtij libri është njohja e opinionit të gjerë për veprimtarinë sportive të sportistit të njohur të Kosovës, Aziz Salihut, fituesit të Medaljes së Bronztë në Lojërat Olimpike në Los Angjelos në vitin 1984, ndërsa me mjetet nga shitja e këtij libri të blehet një banesë për këtë sportist të dalluar të Kosovës.
Libri është një biografi, sondazh dhe kronikë e sportistit me nam të Kosovës, të cilin e njeh rajoni dhe bota. Botimi i librit është një vepër humanitare, sepse nga mjetet e shitjes së këtij libri do të blehet një banesë për sportistin në fjalë, u tha gjatë një konferencë për media e mbajtur të mërkurën në Hotelin Grand në Prishtinë.
Libri për veprimtarinë sportive të Aziz Salihut, boksierit të famshëm në kategorinë super të rëndë, i cili ka zhvilluar më se 500 meçe, është në procesin e lekturimit, ndërsa pritet gjetja e sponzorizuesit dhe botimi i tij.
Aziz Salihu tha se e ndjen veten të lumtur që për te botohet libër për veprimtarinë sportive të tij si boksier. Unë kur kam dëgjuar se po botojnë libër për mua, e kam ndier veten të lumtur. Jam i kënaqur që shokët e mi nuk më kanë harruar, që populli im nuk më ka harruar dhe që populli im më don shumë, tha Aziz Salihu.
Ndërkaq, autori i librit, Cenë Pushkolli ka thënë se Aziz Salihu është një sportist i dalluar i Kosovës, i cili jo vetëm Kosovës, por edhe mbarë shqiptarisë ia ka rritur namin dhe nderin me fitoret e tij të njëpasnjëshme.
Kemi menduar që ta shkruajmë dhe botojmë një libër për Aziz Salihun me titull Kush është Aziz Salihu, të tjerët flasin për te, ndërsa nga mjetet që vijnë nga shitja e këtij libri, kemi menduar që të blehet një banesë për Aziz Salihun, ka thënë Pushkolli.
Ndërsa, redaktori gjuhësor i librit, Ahmet Pllana, tha se Azizi e meriton ta ketë një banesë ku do të mund të jetonte pa qera dhe dinjitetshëm me familjen e tij.
Aziz Salihu është një sportist i dalluar i Kosovës i cili e ka afirmuar Kosovën në botë me pjesëmarrjen e tij nëpër garat dhe kampionatet evropiane dhe botërore, prandaj edhe e meriton që ta ketë një banesë në Prishtinë dhe një jetë të dinjitetshme si qytetar dhe si njeri, ka thënë Pllana.