Botërori 2018 ndikoi në rritjen e ekonomisë së Rusisë
Moskë, 16 tetor - Botërori i futbollit i këtij viti ndihmoi në rritjen e ekonomisë ruse. Vendi siguroi përfitime prej më shumë se 14 miliardë dollarësh nga turneu më i rëndësishëm futbollistik, shifër kjo që është sa 1 për qind e prodhimit të brendshëm bruto.
Gjithçka u konfirmua nga Komiteti organizator i Kupës së Botës, gjatë një konference të zhvilluar në Doha.
“Shifrat e raportuara janë vërtet surprizuese”, tha presidenti i Komitetit Organizativ të Kupës së Botës, Alexey Sorokin, në konferencën e zhvilluar në Katar, ku do të zhvillohet edicioni i radhës i Botërorit të vitit 2022.
Përllogaritjet tregojnë se impakti i Kupës së Botës në GDP-në e vendit në periudhën 2013-2018 ishte 14.5 miliardë dollarë, por jo vetëm kaq. Në raportin e publikuar nga organizatorët theksohet se, gjatë turneut u krijuan edhe 315 mijë vende pune dhe se ky impakt do të vazhdojë të ndihet në vend edhe për 5 vitet e ardhshme.
Pavarësisht paralajmërimeve përpara fillimit për huliganizmin dhe situatën politike, edicioni i këtij viti të Kupës së Botës në Rusi u konsiderua një sukses i vërtetë.