23 Dhjetor 2024

Botërori 2010: Afrika e Jugut shpenzoi miliarda për përgatitje

Johanesburg, 3 qershor - Përgatitjet për Botërorin e Futbollit në datën 11 qershor, janë në fazën përfundimtare. Një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë, do të zhvillohet për herë të parë në tokën e Afrikës. Afrika e Jugut ka shpenzuar miliarda dollarë për t’u pergatitur për këtë ngjarje, ku përfshihen dhe 2 milardë dollarë për përmirësimin e rrjetit të transportit.

Përshtypja e parë për shumë tifozë të huaj që do të mbërrijnë për Kupën Botërore të Futbollit, do të jetë holli prej 5 katesh i lartë në aeroportin ndërkombëtar të rinovuar tërësisht të Johanesburgut.

Qeveria e Afrikës së Jugut ka shpenzuar thuajse 700 milion dollarë vetëm për këtë aeroport. Këtij aeroporti i është shtuar kapaciteti nga 17 milion pasagjerë në 28 milion, si dhe janë shtuar terminalet për fluturimet vendase e të huaja,  gjithashtu janë përmirësuar sportelet e prerjes së biletave, dyqanet dhe restorantet.

Shoqata e aeroporteve e Afrikës së Jugut menaxhon aeroportin më të madh të vendit. Zëdhënësi i kësaj firme, Solomon Makagle, thotë se projekti i cili ka zgjatur për 5 vjet, ka krijuar një objekt të cilësisë së lartë.

“Ky është një aeroport i klasit të lartë të cilin mund t’a hasni në Europë ose në pjesë të tjera të Amerikës. Është ndërtuar në bazë të standarteve ndërkombëtare dhe në disa raste duam të besojmë që kemi tejkaluar standartet e vendosura”.

Qeveria ka ndërtuar një aeroport të ri në Durban, me vlerë 1 miliard dollarë, si dhe ka modernizuar aeroportet  në Cape Town, Bleomfontein dhe Port Elizabeth.

Rrugët dhe hekurudhat gjithashtu janë përmirësuar.  Përmirësimet në infrastrukturë  nuk janë vetëm për mijëra tifozët e huaj që do të vizitojnë këto qytete gjatë kupës së Botës. Ato do të mbështesin rritjen ekonomike të vendit pas përfundimit të këtij kampionati.

Makgale thotë se përpjekje të veçanta janë bërë për të përmirësuar edhe sigurinë.

“Ne kemi bashkëpunuar ngushtësisht me Shërbimin policor të Afrikës së Jugut. Ata kanë pjestarë të policisë që patrullojnë në ndërtesat e terminaleve gjatë gjithë kohës. Ne i kemi mbështetur ata duke punësuar një shoqëri private sigurimi, e cila patrullon dhe vëzhgon zonat publike”.

Ndonëse afrikanojugorët thonë se mund të ketë disa probleme të vogla gjatë Kupës së Botës, shumë prej tyre e shohin këtë ngjarje si një mundësi për të ekspozuar vendin e tyre dhe për t’i lënë vizitorët me kujtimet e bukura të mikëpritjes së këtij vendi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)