Botëror 2010, 1 milion bileta mbetën pa u shitur
Johanesburg, 20 korrik - Më shumë se një milion bileta të Botërorit 2010 kanë mbetur pa u shitur, por shtëpia botërore e futbollit (FIFA) nuk është e shqetësuar për këtë.
Krerët organizativë të Botërorit 2010 në Afrikë të Jugut janë arsyetuar se shumë ulëse mbetën të zbrazëta, pasi tifozët e huaj, ata të biletave VIP dhe sponsorët kthyen gjysmën e biletave që rezervuan.
Në përgjithësi afro 1.2 milionë bileta kanë mbetur të pashitura nga 2.9 milionë sa ishin në dispozicion. Në disa ndeshje të Botërorit kishte edhe deri në 13 mijë ulëse të zbrazëta. Të dhënat zyrtare të MATCH Hospitality, kompani e biletave, ka njoftuar se kishte të drejtën ekskluzive për 380 mijë bileta VIP, ndërsa 240 mijë prej tyre u kthyen prapa.
31 shtetet mysafire që në të kaluarën kanë pasur vështirësi të kënaqnin shikuesit me bileta, shitën vetëm 176 mijë bileta, afro 31 për qind të 570 mijë sa ishin paraparë. Ndërsa operatorët e tjerë kanë njoftuar se kanë shitur vetëm 145 mijë nga 344 mijë bileta sa kishin në dispozicion.
Sponsorët e turneut ku përfshihen McDonald, Adidas dhe Budweiser, kanë blerë vetëm 190 mijë bileta ndërsa kanë kthyer 360 mijë.
Shumica e jugafrikanëve nuk ishin në gjendje të paguanin as çmimin minimal të biletave prej 50 funteve e lëre më bileta të klasës tjetër. Rezultati ishte se gjatë ndeshjeve stadiumet mbeteshin të zbrazëta, ndonëse organizatorët vazhdimisht thoshin se stadiumet janë të mbushura me tifozë.
FIFA më herët ka premtuar se do të prezantojë një sistem të ri të shitjes së biletave për Botërorin 2014 që do të mbahet në Brazil.