Borussia Dortmund vlen më pak se Ronaldo
Dortmund, 26 prill - Klubi gjerman, Borussia Dortmund po jep shembullin e përkryer se mund të jesh i suksesshëm edhe falë punës së madhe, investimeve të zgjuara me kosto të ulët dhe një projekti ambicioz.
Pavarësisht se kanë shpenzuar shifra minimale krahasuar me rivalët në Europë, skuadra e Jurgen Klopp u dha leksion futbollistëve miliarderë të Jose Mourinhos.
Portugezi zbriti në fushë me 11 titullarë që vlejnë më tepër se shtatë herë, krahasuar me verdhezinjtë. Madje, e gjithë 11-shja e Borussias vlen më pak se gjysma e shifrës që është paguar për Cristiano Ronaldon.
Gjithsesi, spanjollët u mundën 4-1, falë një loje spektakolare të vendësve, duke rrezikuar më shumë se kurrë eliminimin.
I gjithë formacioni i verdhezinjve kap vlerën e 40.6 milionë eurove, ku përveç Marco Reus, që u ka kushtuar 17 milionë, askush tjetër nuk kalon shifrën e 5.5 milionë eurove. Pa llogaritur faktin që katër prej titullarëve janë marrë falas.
Nga ana tjetër, madrilenët i kanë blerë të gjithë futbollistët që patën në formacion dhe përveç Diego Lopez (3.5 mln euro), asnjë lojtar nuk ka kushtuar më pak se 10 milionë.
Dortmundi është pagëzuar si "hirushja" e Champions League, por nuk po shkon drejt fronin vetëm për shkak të bukurisë, por edhe punës së madhe që kanë bërë gjatë viteve të fundit.