11 Janar 2025

Bojkot Serbisë

Londër, 19 tetor - Federata Angleze e Futbollit ka kërkuar dënime të ashpra për Federatën serbe, tifozët dhe futbollistët e saj për dhunën dhe fyerjet racore që përshkuan duelin e ekipeve U-21 në Krusevac.

FA po ashtu ka propozuar bojkotimin e të gjitha ndeshjeve të futbollit në Serbi, duke u ankuar se nuk mund të luhet në një ambient ku mbizotërojnë fyerjet racore dhe dhuna.

Krerët e hidhëruar të Federatës angleze të Futbollit kanë kërcënuar me bojkotimin e ndeshjeve në Serbi pas dhunës që përshkoi duelin mes ekipeve U-21 në Krusevac të martën. Skuadra e futbollistëve të rinj të udhëhequr nga Stuart Pearce u frikësuan për jetën e tyre, derisa u sulmuan me gurë nga huliganët, lojtarët dhe trajnerët serbë.

Çuditërisht, në raportin zyrtar të UEFA-s nuk janë përmendur skenat e turpshme që ndodhën pas fitores 1-0 të Anglisë në ndeshjen e vlefshme për play-off për Euro 2013. Për më tepër, UEFA akuzoi Federatën angleze së bashku me atë serbe për sjelljen e pahijshme të futbollistëve të tyre.

Por, Serbia u ankua se mbrojtësi anglez Danny Rose – viktima e fyerjeve racore gjatë gjithë ndeshjes – ishte fajtori për rrahjen që shpërtheu pas takimit. Sekretari i përgjithshëm i FA, Alex Horne, deklaroi: “Asnjë skuadër e futbollit nuk duhet të kërkohet të luajë në cilindo ambient ku mbizotërojnë fyerjet racore, dhuna dhe sjellja kërcënuese. Ne duhet të vëmë në dyshim dërgimin e një skuadre në Serbi në të ardhmen. I bëjmë thirrje UEFA-s të merr masat e nevojshme kundër Federatës serbe, tifozëve të tyre dhe krejt atyre që shpallen fajtorë për përfshirje në vepra të dhunshme dhe ofenduese”.

Zyrtarët e FA janë ankuar te delegatët e UEFA-së gjatë ndeshjes për fyerjet racore ndaj disa prej futbollistëve me ngjyrë. Por, pavarësisht se fyerjet janë dëgjuar edhe nëpërmjet televizionit, Federata serbe insistoi se ato nuk kanë qenë prezente.

Në komunikatën e tyre qesharake thuhej: “Federata serbe mohon prezencën e fyerjeve racore gjatë ndeshjes në Krusevac. Fatkeqësisht, pas golit të fitores nga skuadra mysafire, ndodhën skena të pahijshme në fushë. Derisa shumica e futbollistëve të Anglisë festonin golin, Danny Rose u soll në mënyrë të pahijshme, josportive dhe ofenduese në drejtim të tifozëve në tribuna dhe për këtë arsye u ndëshkua me karton të kuq”.

Trajneri i skuadrës U-21 të Serbisë, Aleksandar Jankovic, po ashtu ka insistuar se nuk ka për çka t’i vjen keq. “Kërkim falje për çka? Kërkohen dy për t’u rrahur. Ju duhet të jeni të lumtur që Anglia u kualifikua”.

Por, Rose është shprehur: “Më kanë goditur dy herë. Ky ishte momenti kur qëllova topin dhe gjyqtari më përjashtoi. Edhe derisa po dilja nga fusha dëgjoja brohoritma të majmunëve, por ato filluan shumë më herët. Këta tifozë duhen dënuar. Dy gurë më kanë qëlluar në kokë dhe sa herë që isha në kontakt me topin, bëheshin brohoritje majmunësh”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)