Bogdani në janar te Atalanta
Romë, 18 dhjetor - Erjon Bogdani mund të kalojë tek Atalanta në janar dhe në shkëmbim Cezena mund të marrë sulmuesin Tiribochi.
Lajmi është bërë i ditur dje nga Sky Sport, i cili nuk ka cituar burime nga ndonjëri prej klubeve.
Merkatoja e dimrit po afron dhe spekulimet janë të zakonshme, përfshirë edhe sulmuesin shqiptar, emri i të cilit përmendet vazhdimisht si objektiv i skuadrave të ndryshme.
Ajo që dihet tashmë është se sulmuesi shqiptar, i pakënaqur me qëndrimin në stol te romanjolët, dëshiron të lëvizë në një skuadër ku do të ketë mundësi të aktivizohet si titullar.
Bogdani kishte mundësi largimi në merkaton verore, por në fund vendosi të qëndronte te Cezena, me shpresën se do të kishte më shumë shanse aktivizimi si titullar.