Blatter: Jam dëshmitar i kurdisjes së shortit, topat vendosen në frigorifer
Gjenevë, 14 qershor - Ish-president i pezulluar i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Joseph Sepp Blatter në një intervistë për gazetën argjentinase "La Nacio", deklaroi se ishte dëshmitar i kurdisjes së shorteve të Kampionatit Evropian të Futbollit.
Ai shpjegoi se nuk mund të dëshmojë për kurdisjen e shorteve në garat e FIFA-s, por ka konfirmuar se raste të tilla kishte në garat evropiane.
Ai shtoi se kurdisja e shortit bëhet me metodën "ftohtë-nxehtë".
"Natyrisht se kjo është e mundur, edhe pse ngjarje të tilla ndiqen nga miliona njerëz në botë. Isha dëshmitar kur kjo ka ndodhur në Evropë. Para tërheqjes, topat vendoseshin në frigorifer dhe kur i prekni ato, ju mund të dalloni se cili top është i ftohtë dhe cili i nxehti, kështu që e dini se cilin top duhet tërhequr", ka thënë Blatter.