Bielsa në planet e Barcelonës
Barcelonë, 27 prill - Pep Guaridola sipas të gjitha gjasave do të largohet nga Barcelona me të perfunduar sezoni, ndërsa tashmë klubi katalanas e ka menduar zëvëndësuesin e strategut që ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e klubit.
Ai është Marcelo Bielsa. Tekniku i Athletic Bilbaos ka treguar me klubin bask se është në gjendje të gjunjëzojë edhe ekipe gjigante si Manchester United, teksa ka aplikuar filozofi tepër sulmuese, me orientim kah inkuadrimi i lojtarëve të rinj.
Në rast të pensionimit të Guardiolës, mediat spanjolle besojnë se Bielsa do të jetë strategu i ardhshëm i Barcelonës, i cili do ta udhëheqë klubin katalanas drejt një cikli të ri, me motivim të ri.
Pep Guardiola gjatë tri viteve të qëndrimit të tij në krye të Barcelonës ka arritur të fitojë çdo titull të mundshëm, kurse vlen të përmendet se Barcelona e tij për shkak të filozofisë së tij të një futbolli që argëtoi gjithë botën, konsiderohet si një prej ekipeve më të mira në histori të futbollit.