Beqiraj, golashënuesi më i mirë në Kroaci
Zagreb, 27 shkurt - Parashikimi se pas shterpësisë në fazën përgatitore e pret një kampionat i suksesshëm, ka nisur ti realizohet sulmuesit kosovar Fatos Beqiraj.
Beqiraj në përgatitje nuk realizoi asnjë gol, ndërsa portën e gjeti që në ndeshjen e parë të pjesës së dytë të kampionatit.
Ai të shtunën mbrëma shënoi golin e dytë për Dinamon e Zagrebit që fitoi 3:0 në udhëtim kundër Karlovacit, në kuadër të javës së 18-të të kampionatit të Kroacisë në futboll.
Beqiraj shënoi nga afërsia në minutën e 73-të. Futbollisti pejan ishte startues te Dinamo, ndërsa u zëvendësua në minutën e 78-të.
Me golin e shënuar të shtunën, Beqiraj është ngritur në krye të listës së realizatorëve më të mirë të kampionatit kroat.
Beqiraj ka shënuar 10 gola deri më tash, sa ka edhe Ivan Santini që në janar u transferua nga Zara te Freiburgu i Gjermanisë.