Benitez, trajner i përkohshëm te Chelsea
Londër, 22 nëntor - Pas shkarkimit të Roberto di Matteo të mërkurën, për shkak të humbjes 3-0 ndaj Juventus në Champions League, Chelsea ka emëruar ish-trajnerin e Liverpool, Rafael Benitez, si trajner të përkohshëm, deri në fund të këtij sezoni.
Emërimi për një periudhë afatshkurtër i Benitez, i hap rrugën pronarit Roman Abramovich të bëjë një përpjekje gjatë verës për ish-teknikun e Barcelonës, Pep Guardiola.
Benitez, 52 vjeç, bëhet kështu trajneri i 9-të i Blues, që kur Abramovich mori drejtimin e klubit në 2003.
Në një deklaratë nga klubi thuhej: Pronari dhe bordi besojnë se me Benitez kemi një trajner me eksperiencë të mjaftueshme në nivelet më të larta të futbollit, i cili mund të vijë dhe, në mënyrë të menjëhershme, të na ndihmojë të arrijmë objektivat tanë. Dy herë fituesi i Trajneri më i Mirë i UEFA-s, vjen me një të kaluar të shkëlqyer.
Benitez u bashkua me Liverpool nga Valencia në 2004 dhe fitoi Champions-in në 2005, ashtu sikurse dhe luajti në finalen e 2007-s, përpara se të largohej nga Anfield Road me marrëveshje dypalëshe në 2010-n.
Ai ka qenë i papunë, që kur u shkarkua nga Inter në dhjetor 2010, pas vetëm 6 muajsh në krye të zikaltërve, pavarësisht se fitoi 2 tituj: Botërorin për Klube dhe Superkupën e Italisë.
Spanjolli do të takohet me lojtarët në fushën stërvitore në Cobham, të enjten, përpara ndeshjes së tij të parë me blutë, që do të luhet me Manchester City, të dielën.