Behrami synon të bëhet kapiten i Fiorentinës
Firencë, 21 maj - Mesfushori kosovar, Valon Behrami javën e kaluar është shpallur lojtari më i mirë i Fiorentinës për pjesën e dytë të kampionatit.
Behrami këtë çmim e mori nga radiostacioni \"Radio Blu\" për paraqitjet që kishte te skuadra italiane nga muaji janar e tutje.
Reprezentuesi i Zvicrës në janar u transferua te Fiorentina nga West Hami anglez, ndërsa me ardhjen e tij skuadra nga Firenca u këndell. Behrami është ndarë shumë i kënaqur me çmimin që i është dhënë. Ai shpreson që në të ardhmen të bëhet kapiten i skuadrës.
\"Ky çmim më gëzon shumë. Unë nuk kam menduar se do të pritem aq ngrohtë në Firence. Në këtë qytet flitet vetëm për Fiorentinën. Unë mundohem të jap gjithmonë maksimumin dhe tifozët duhet të dinë se këtë e japin të gjithë lojtarët.\"
\"Nuk ka qenë e vështirë që të vendosi për Fiorentinën, pasi është skuadër e madhe. Do të pranoja përgjegjësinë për të qenë kapiten me plot dëshirë, mirëpo unë nuk jam ai që vendos për këto çështje. Synimi im stinorin e ardhshëm është që me Fiorentinën të kualifikohemi në gara evropiane. Fiorentina e ka vendin në Evropë\", ka thënë Behrami, shkruan \"fiorentinanews.com\" të premten.
Behrami këtë stinor për Fiorentinën ka zhvilluar 16 ndeshje.
Fiorentina një javë pa përfunduar edicioni në Serie A mban pozitën e nëntë me 50 pikë, ndërsa para ardhjes së Behramit kjo skuadër ishte duke luftuar për mbijetesë.