Bayerni e shpëtoi Dortmundin nga falimentimi
Dortmunt, 7 shkurt - Presidenti i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, ka konfirmuar se skuadra e tij mori 2 milionë euro hua nga rivali i Bundesligës, Bayern Munich, për të shpëtuar nga falimentimi.
Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, gjatë një takimi me tifozët në Hamburg bëri të ditur se gjiganti bavarez i kishte dhënë Dortmundit para hua më 2003. Kurse Watzke e konfirmoi atë që kishte deklaruar Hoeness.
Po, e konfirmoj huanë, tha ai për të përditshmen Ruhr Nachrichten. Dortmundi ishte shumë pranë falimentimit në sezonet pas suksesit të tij në Bundesligë më 2002, e nga kriza doli në fillim të 2005-ës.
Dortmund është aktualisht kampion në fuqi në Bundesligë dhe lider me dy pikë më tepër se Bayern.