Basketbollisti Drilon Hajrizi, sportist i vitit në Mitrovicë
Mitrovicë, 28 dhjetor - Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi, është zgjedhur sportisti i vitit 2011 në Mitrovicë, në një manifestim tradicional të organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS).
Në këtë manifestim, përveç zyrtarëve komunalë, mandej atyre të federatave sportive, ishte i pranishëm edhe futbollisti i njohur shqiptar, Granit Xhaka, i cili luan në ekipin e Baselit në Zvicër.
Me çmimin special Lah Nimani, i cili ndahet nga Komuna e Mitrovicës për kontribut në avancimin e sportit, u nderua Linda Shala. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, i cili ka ndarë këtë çmim, tha se Linda Shala me angazhimin e saj ka ndihmuar shumë sportin e Mitrovicës.
Duke folur për ecurinë e këtij vitit në fushën e sportit, drejtori i DKRS-së, Artan Osmani, tha se viti 2011 për sportistët e qytetit te Mitrovicës pati sfida, por edhe suksese e arritje ne të gjitha disiplinat sportive.
Në krahasim me vitin 2010 kemi numër më të madh të klubeve në qytetin tonë si dhe rritje të buxhetit thuajse 100 për qind. Hapësirat sportive përveç se janë restauruar ato edhe janë zgjeruar dukshëm
Ai tha se aktivitetet sportive ishin mjaft dinamike, të karakterizuara me disipline dhe vetëmohim për arritje rezultatesh. Një ndër sukseset më të rëndësishme të këtij viti janë edhe trajnimet e seminaret në fusha të ndryshme të mbajtura nga ekspert me licenca ndërkombëtare, po ashtu themelimi i ligave në sportin shkollor ( futboll dhe basketboll) të parat në Kosovë pas luftës, janë garanci për një të ardhme të shkëlqyer të sportit mitrovicas dhe më gjerë.
Ai theksoi se viti që po vjen, do të jetë vit i investimeve si asnjëherë më parë në infrastrukturën sportive dhe në kuadro profesioniste. Përmendi konkretisht projektet e Komisionit Evropian, Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Mitrovicës, për ndërtimin dhe renovimin e objekteve sportive, që do fillojnë së realizuari në pranverë të vitit 2012.
Në këtë manifestim u ndanë edhe çmime të tjera për suksese të dalluara në këtë vit. U nderuan edhe shpresat e Mitrovicës, mandej klubet sportive më të dalluara të vitit , gjyqtarët, punëtorët e dalluar. Gazetar sportiv për vitin 2011 u zgjodh
Fatmir Beka.