Barcelona fillon të kërkojë zëvendës për Vilanovan
Barcelonë, 21 maj - Barcelona po merr seriozisht në konsideratë idenë e prishjes së kontratës me Tito Vilanovan, pasi është e qartë se problemet shëndetësore të këtij të fundit nuk kanë përfunduar.
Ky mendim u përforcua me faktin se trajneri shkoi përsëri në Nju Jork për një tjetër vizitë në klinikën ku qëndroi për disa muaj për kurat ndaj kancerit, duke lënë të kuptohet se beteja e tij me këtë sëmundje nuk ka përfunduar.
Barcelona pak kohë më parë konfirmoi publikisht trajnerin për sezonin e ardhshëm, por drejtuesit janë të shqetësuar se mos vizitat e vazhdueshme në SHBA do të penalizojnë përsëri ekipin, ashtu siç ndodhi në këtë vit kur drejtimin e skuadrës së mori Roura.
Ndaj në mediat spanjolle janë hapur zëra se Barcelona ka filluar të mendojë për një Plan B, duke afruar një trajner cilësor në rolin e zëvendësit të Vilanovës, një person i cili mund të marrë pa probleme drejtimin e ekipit nëse tekniku aktual do të ketë probleme të tjera me shëndetin.
Emri i parë që u përfol ishte ai i Manuel Pelegrinit, por trajneri aktual i Malagas dëshiron një rol protagonisti ndërsa pritet të marrë drejtimin e Mançester Sitit. Hipoteza që ka dalë në skenë në ditët e fundit është ajo e Ernesto Valverde, trajnerit të Valencias, i cili ka bindur me paraqitjet e tij.
Duke pasur parasysh se kontrata e tij me klubin aktual përfundon në mbyllje të sezonit, Barça po bën hapat e parë për ta përfshirë në stafin teknik të Vilanovas, duke i ofruar mundësinë që të marrë drejtimin e ekipit nëse ky i fundit largohet.