Bale zgjidhet Lojtari i Vitit nga PFA
Paris, 19 prill - Anësori i Tottenhamit, Gareth Bale, është emëruar Lojtari më i Mirë i Vitit nga Asociacioni i Futbollistëve Profesionist, duke mposhtur mesfushorin e Arsenalit, Samir Nasri, i cili përfundoi i dyti, dhe sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez, i cili ishte i treti.
Ish-i riu i Southampton famën më të madhe e shijoi këtë sezon duke ndihmuar Spursat të arrijnë deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Jam më shumë se i ngazëllyer, vërtet. Është një shpërblim i madh dhe është një nder i madh ta pranoj këtë, veçanërisht nga profesionistët tjerë. Është vërtet një nder kur shikoni në emrat të cilët e kanë fituar atë më herët dhe kjo ju bën të thoni wow, ka thënë Bale.
Uellsiani ishte i nominuar edhe për shpërblimin Lojtari i Ri i Vitit, të cilin e fitoi mesfushori i Arsenalit, Jack Wilshere. PFA po ashtu ka zbuluar edhe Ekipin më të Mirë të Vitit ku dominojnë lojtarët e Manchester United dhe Arsenali.