Bajrami kalon në Monaco
Monaco, 12 korrik - Mesfushori kosovar që aktivizohet me kombëtaren suedeze, Emir Bajrami në sezonin e ardhshëm do të luajë për skuadrën franceze Monaco.
Lojtari 24 vjeçar është transferuar nga Twente, e cila e ka huazuar për një sezon, me të drejtën e blerjes përfundimtare.
Drejtuesit e Monacos janë të lumtur me zgjedhjen që kanë bërë për futbollistin, i cili fatkeqësisht luajti një rol dytësor me kombëtaren e tij në Euro 2012, duke qëndruar në bankinë dhe duke u aktivizuar vetëm në ndeshjen kundër Francës.
Kërkonim një lojtar që të sulmonte hapësirat dhe Emiri përshtatet plotësisht me këtë profil. Ai është një nga lojtarët më të mirë në pozicionin e tij në Evropën e Veriut dhe shpresojmë që të ketë rritje të mëtejshme të lojës në këtë sezon me Monacon.
Ai do ti japë një perspektivë tjetër vijës tonë të sulmit, ishin fjalët e menaxherit të skuadrës franceze, Tor-Cristian Carlsen, i cili ishte personi që ka ndjekur prej 3 vjetësh mesfushorin kosovar.
Bajrami shihet si një nga talentet më premtues të kombëtares suedeze të futbollit, me të cilën është aktivizuar në 17 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola.
Ai luan si mesfushor i avancuar, ose në krahun e majtë, pozicion në të cilin është preferuar zakonisht me kombëtaren suedeze të futbollit.