Ausilio punon për rinovimin me Skriniar
Milano, 8 nëntor - Qendërmbrojtësi sllovak i Interit, Milan Skriniar po bind gjithnjë e më shumë dhe pas ndeshjes së djeshme kundër Barcelonës janë edhe vetë drejtuesit e zikaltërve, që kanë kuptuar përfundimisht se kanë në gjirin e tyre një futbollist “Top Player”, në repartin e mbrojtjes.
Për këtë arsye, Piero Ausilio ka marrë direktiva nga presidenti i skuadrës, Steven Zhang, që të rinovojë sa më shpejt kontratën me qendërmbrojtësin sllovak, i cili ka adhurues të shumtë nëpër Europë.
Pas përfundimit të sfidës me katalanë, Drejtori Sportiv i Interit është takuar me menaxherët e futbollistit dhe kanë folur nga afër për mundësitë e rinovimin të kontratës dhe pretendimet mes palëve.
Kështu sllovaku e ka deklaruar disa herë që ndihet mirë te Interi, por kërkon të marrë një pagë të denjë për atë që jep në fushë e lojës dhe pretendon rinovimin me 3.5-4.2 milionë euro rrogë vjetore.
Këtë e kanë kuptuar qartë edhe drejtuesit e Interit, që duket se janë gati t’i plotësojnë dëshirat sllovakut, për t’i blinduar kontratën, me qëllim që të përfitojnë sa më shumë nga shitja e tij në merkaton e verës së ardhshme.
Kjo pasi skuadrat spanjolle, Barcelona dhe Real Madrid janë të gatshme të kënaqin dëshirat e klubit zikaltër, duke ofruar shifrën prej 100 milionë eurosh, që Suning kërkon për kartonin e futbollistit.