Arrestohet Stefano Mauri kapiteni i Lazios
Padova, 28 maj - Stefano Mauri, kapiteni i Lazios, është arrestuar në një operacion policor mbi bastet në futbollin italian.
Së bashku me të është arrestuar edhe Omar Milanetto, ish-futbollist i Genoas, aktualisht lojtari i Padovës në Serinë B.
Gjithsej janë ndaluar 19 persona, 10 prej të cilëve janë ish-lojtarë të Serisë A, B dhe Ligës Pro, ndërsa nën hetim janë trajneri i Juventusit Antonio Conte dhe mbrojtësi i kombëtares italiane Domenico Criscito.
Sipas mediave italiane, Mauri dhe Milanetto ishin të gatshëm që në këmbim të parave të trukonin rezultatin e ndeshjeve të skuadrave të tyre. Janë verifikuar edhe disa kontakte mes lojtarëve dhe eksponentëve të organizatave kriminale.
Arrestimet janë urdhëruar nga prokurori i Gjykatës së Kremonës, Guido Salvini, në kuadër të hetimit Last Bet, i koordinuar nga prokurori Roberto Di Martino që në qershor dhe dhjetor të vitit të kaluar ka arrestuar edhe disa persona të tjerë.
Operacioni i së hënës në mëngjes është kryer nga efektivët e policisë së Kremonës, Breshias, Alesandrias dhe Bolonjës.