Anderson rikthehet te Lazio
Lazio, 6 korrik - Pas dy sezonesh me fanellën e West Hamit në Angli dhe një tjetri në huazim te Porto në Portugali, sulmuesi brazilian Felipe Anderson do të rikthehet sërish te Lazio, skuadër në të cilën spikati disa vite më parë.
Marrëveshja për transferimin e 28-vjeçarit te bardhekaltrit është arritur dhe sinjalin e ka dhënë vetë Anderson në rrjetet sociale, ku pa postuar një top të bardhë, një të kaltër dhe një shqiponjë, që është edhe simboli i klubit kryeqytetas.
Për rikthimin e Felipe Anderson në Romë, Lazio do të paguajë vetëm dy milionë euro, ndërsa West Hami do të përfitojë edhe 50% të vlerës së kartonit, në rast të një rishitjeje në të ardhmen të sulmuesit brazilian.
Felipe Anderson është rritur në klubin e Santosit, ku bëri edhe debutimin në futbollin profesionist, ndërsa në periudhën 2013-2018 spikati me fanellën e Lazios në Serinë A, duke shënuar 34 gola në 177 ndeshje.
Verën e 2018-ës sulmuesi u transferua te West Ham për shifrën e 38 milionë eurove, por nuk arriti të përshtatet në futbollin anglez dhe tani do të rikthehet sërish në kryeqytetin italian, ku do të provojë të “rilindë” nën urdhrat e Maurizio Sarrit.