Ancelotti kërkohet nga Manchester City
Manchester, 12 nëntor - Manchester City duket se ka ndryshuar objektiv për pankinën në sezonin e ardhshëm.
Sipas asaj që publikohet në tabloidin britanik Daily Star, skuadra angleze tashmë ka vënë në shënjestër italianin Carlo Ancelotti, ndërkohë që më parë e gjithë vëmendja e saj ishte te Pep Guardiola.
Por, dyshimet e trajnerit spanjoll si dhe plani i Bayern Munchen për të kanë bërë që drejtuesit e Citizens të shohin Ancelottin si kandidatin kryesor për pankinën e skuadrës.
Ndërkaq, vetë trajneri italian që vendosi të qëndrojë një vit pushim pas largimit nga Reali i Madridit, nuk e ka fshehur aspak dëshirën për t\'u rikthyer në kampionatin anglez. Në një intervistë për Daily Mail, 56-vjeçari theksoi se i pëlqen futbolli që luhet në Premier League.
Më pëlqen futbolli anglez. E kam ende një shtëpi në Londër dhe do të më pëlqente që të drejtoja një skuadër kompetitive, si në Premier League, ashtu edhe në Evropë, ishte deklarata e ish-trajnerit të Milanit, Carlo Ancelotti.