22 Dhjetor 2024

Alonso: Nuk më tremb MekLareni

Madrid, 28 mars - Fernando Alonso nuk shqetësohet për vendin e 15 në provat e lira të Çmimit të Madh të Australisë dhe as për kohët e regjistruara nga MekLaren, që dominoi me Luis Hemilton.

Sipas pilotit të Ferrarit, kundërshtarja e vërtetë që duhet të mbahet nën kontroll është skuadra Red Bull: “MekLareni regjistroi xhiro të shpejta, pasi ata kanë bërë një punë të ndryshme nga e jona. Ferrari mendon për garën dhe jo për xhirot e shpejta. Megjithatë, për fat të keq, shiu nuk na lejoi që të mbyllnim punën e programuar për gomat. Nga ajo që pashë në dy seksionet e provave, kundërshtari që më shqetëson më tepër është Red Bulli”.

Alonso ruan qetësinë dhe pse reshjet në Melburn prishën planet e “kokëkuqes”: “Duhet të punojmë për besueshmërinë dhe rendimentin e gomave. Në garën e Bahreinit ishte e rëndësishme që të mbanim nën kontroll gomat e përparme, ndërsa këtu në Australi duhet të kemi kujdes edhe për gomat e prapme. Pavarësisht kësaj nuk jam aspak i shqetësuar”.

Edhe për sa i takon aerodinamikës së makinës, spanjolli duket se i ka idetë e qarta: “Momentalisht po punojmë rreth disa modifikimeve të vogla. Nuk më rezulton se skuadra po studion aplikimin e një zgjidhjeje të ngjashme me MekLarenin, ku pilotët mund të spostojnë krahun e pasmë me gju. Nuk më takon mua të them nëse duhet ta përshtasim këtë teknologji, por nëse skuadra vendos se kjo është një zgjidhje e nevojshme, nuk do të kisha probleme për ta përdorur. Më paguajnë për të qenë pilot dhe kjo është pjesë e punës sime”.

As Felipe Masa nuk shprehet shumë i zhgënjyer nga vendi i 17 në provat e lira. Braziliani i Ferrarit është dakord me shokun e skuadrës, duke theksuar se shiu komprometoi programin e punës. “Më vjen shumë keq, pasi me asfaltin e lagur nuk arritëm të përfundonim planin e punës. Të premteve ne punojmë për garën, ndërsa të tjerët përqendrohen vetëm te xhirot e shpejta”, tha ai.

Sipas Masës, pikat më të rëndësishme të garës në Melburn do të jenë: “Të paraqitemi mirë në provat zyrtare, të nisemi nga një pozicion mes kryesuesve dhe të bëjmë një start të mirë. Zgjidhja ideale do të ishte të kishim një makinë të balancuar, për të garuar në mënyrë konstante gjatë garës, por edhe besueshmëri, në mënyrë që të arrijmë deri në finish”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)