Alonso: Ferrari, makina më e mirë që kam pasur
Romë, 23 shkurt - Fernando Alonso shfaqet entuziast përpara startit të Botërorit 2010. Kampioni spanjoll nuk e kishte menduar asnjëherë që makina Ferrari do të ishte kaq e jashtëzakonshme.
Mund të them pa frikë se kjo është njëvendëshja më e mirë që kam ngarë ndonjëherë, ishin fjalët e ish-pilotit të Reno. Katër ditët e testeve që Formula 1 zhvilloi në Jerez de la Frontera e kanë lënë Alonson dukshëm të kënaqur për F10 e tij.
Dy herë kampioni i botës nuk i ka kursyer komentet pozitive, jo vetëm për makinën, por për të gjithë skuadrën Ferrari.
Deri në momentin që po flasim, F10 është padyshim njëvendëshja më e mirë që kam pasur. Red Bull, MekLaren e Renault i kanë treguar të gjitha letrat e tyre, në garën për titullin botëror. Por, Ferrari, ende nuk e ka shfaqur forcën e saj të plotë. Po analizojmë të dhënat që kemi grumbulluar dhe jemi shumë optimistë. Nëse do të isha në ndonjë skuadër tjetër, padyshim që nuk do tia ndaja sytë Ferrarit, pasi gjithçka po ecën në mënyrën më të mirë, tha Alonso.
Gara e parë e sezonit 2010 është ajo e 14 marsit në Bahrein.