Afrika e Jugut 2010: Spanja kampion botëror
Johanesburg, 12 korrik - Kombëtarja e Spanjës është fituese e Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010, pasi që ka arritur të shënojë fitore historike prej 1-0 përballë Holandës në finalen e madhe të zhvilluar në Soccer City të Johanesburgut.
Kjo finale u përshkua me një lojë mjaft agresive nga të dyja anët, ndërsa këtë e dëshmon edhe numri i madh kartonëve të verdhë të ndarë nga arbitri kryesor Howard Webb.
Rastet më të mira gjatë kohës së rregullt për Tulipanët, i pati Arjen Robben, i cili dy herë dështoi përballë portierit Iker Casillas, ndërkohë që për Furinë e kuqe vlen të përmendet një rast i shkëlqyer i David Villas që nuk përfundoi në rrjet, dhe një rast shumë i mirë i Sergio Ramos, mirëpo goditja e tij përfundoi mbi portë.
Sido që të jetë, në fund të kohës së rregullt të takimit rrjetat mbetën pa u prekur, ashtu që duhej të zhvilloheshin vazhdimet për të përcaktuar kampionin.
Në pjesën e parë të vazhdimeve, Cesc Fabregas pati një mundësi të artë për ta kaluar përfaqësuesen e tij në epërsi kur u gjet ballë për ballë me Stekelenburg, mirëpo portieri holandez doli më i suksesshëm.
John Heitinga ia vështirësoi punët kombëtares së tij në pjesën e dytë të vazhdimeve, pasi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje në Andres Iniestan, dhe gjyqtari Webb e përjashtoi nga loja.
Lojtari më i mirë i Spanjës në këtë takim, Andres Iniesta, doli edhe hero i kombëtares së tij, duke u shkëputur në mënyrë perfekte për të realizuar golin e fitores në minutën e 117-të.
Ky është titulli i parë i kampionit të botës në histori të përfaqësueses spanjolle, ndërsa vjen pas titullit të kampionit të Evropës të fituar në vitin 2008.
Kampionati botëror është eventi më i rëndësishëm futbollistik që zhvillohet një herë në katër vjet. Afrika 2010 dhuroi plot emocione, ndeshje të bukura, finale të parakohshme dhe eliminime të papritura.
Për të mos harruar edhe parashikimet e famshme të oktapodit Paul, që tërhoqën vëmendjen e mbarë botës. Pas gjetjeve të rezultateve të ndeshjeve më të rëndësishme, sigurisht që ai u bë një specie VIP