Afellay të Barcelona, sot zyrtarizimi
Barcelonë, 24 dhjetor - Transferi më i ri i Barcelonës quhet Ibrahim Afellay, pasi që mesfushori holandez do të prezantohet si lojtar i Barcelonës të premtën, pas kalimit me sukses të testeve mjekësore dhe përfundimit me sukses të negociatave me klubin katalanas.
Afellay qëndroi gjatë ditës së enjte në ambientet e klubit me futbollin më të bukur në botë, ku u prit nga Andoni Zubizarreta dhe gazetarët, ku u fotografua te vendi i famshëm ku qëndron stema e klubit Blaugran.
Është e veçantë që jam këtu, jam shumë i lumtur. Jam nervoz, kjo është normale, jam te klubi më i mirë në botë, është klub fantastik. Unë po kënaqem me këtë moment. Është ëndërr e madhe kjo. Secili lojtar e ëndërron Barcelonën. Pyetni secilin lojtar në botë se ku dëshiron të transferohet dhe përgjigja është te Barcelona, pasi këtu e luajnë futbollin më të mirë në botë, theksoi Afellay për Barca TV.
Agjenti i holandezit, Rob Jansen konfirmoi se që në mëngjesin e të premtës, kur do të finalizohen negociatat, Afellay do të nënshkruajë kontratë katërvjeçare e gjysmë.