Adebayor: Nuk kthehem më të City
Londër, 12 shtator - I huazuari te Tottenahmi, Emmanuel Adebayor, ka deklaruar se koha e tij me Manchester Cityn është e shkuar.
Ish-sulmuesi i Arsenalit, i cili debutoi me gol për Spursat në fitoren 2-0 ndaj Wolves, ka kontratë me ekipin e Roberto Mancinit për edhe tre sezone. Por ai nuk e sheh më veten duke luajtur në Etihad Stadium.
Është shumë herët të them nëse do të qëndroj te Tottenham. Por dashuria mes Manchester Cityt dhe meje është thyer. Ende kam edhe tre vite të mbetura në kontratë dhe madje në fund të këtij sezoni edhe dy. Do ta vendos karrierën time në maj ose prill.
Tani dua ta ndihmoj Tottenhamin. Nuk kam asgjë për t`i dëshmuar Manchester Cityt. Çdokush në vend e di se çfarë jam në gjendje të bëj. E kam treguar këtë te Arsenali, e kam treguar në debutim për Manchester Cityn, e kam treguar këtu. Nuk kam asgjë për të dëshmuar, ka thënë Adebayor për Daily Mail.