Abramovic është gati të shpenzojë plot 140 milionë euro Ronaldon
Londër, 13 nëntor - Cristiano Ronaldo vihet në shënjestrën e një tjetër skuadre të rëndësishme europiane.
Pas Paris Saint German, në horizont shfaqet në rolin e pretendentes për të blerë kartonin e sulmuesit portugez të Realit të Madridit edhe skuadra e Chelseat.
Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja spanjolle AS, sipas së cilës, padroni i kampionëve të Anglisë, Roman Abramovic është gati të shpenzojë plot 140 milionë euro për të sjellë në Stamford Bridge yllin portugez.
Gjithnjë sipas AS, për të siguruar këtë fond të rëndësishëm financiar, manjati rus po mendon të kryejë një revolucion, duke nxjerrë në merkato disa prej talenteve që janë në skuadrën londineze.
Kështu, ka të ngjarë që Chelsea të sakrifikojë futbollistë të tillë si Oscar, Matiç apo Hazard, me këtë të fundit që është vënë në shënjestrën e Parisit dhe Realit të Madridit.
Për klubin madrilen, futbollisti belg, së bashku me Marco Reus përbëjnë alternativat më të mira të Ronaldos, si dhe Gareth Bale, në rast se edhe futbollisti uellsian vendos të lërë kryeqytetin spanjoll në fund të sezonit.