Abidal mund të luajë sërish
Barcelonë, 24 korrik - Mjeku i cili e ka bërë transplantimin e mëlçisë te Eric Abidal, Juan Carlos Garcia-Valdecasas, ka deklaruar se futbollisti francez do të mund të luajë sërish në nivelin më të lartë.
Në mars të vitit 2011, mbrojtësit të Barcelonës iu largua një tumor në mëlçi, mirëpo pasi u kthye në fushë iu shfaqën probleme të tjera, ashtu që në prill të këtij viti u desh ti nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjike dhe transplantimit të mëlçisë.
Përkundër operacionit të rëndë, 32-vjeçari po stërvitet rregullisht dhe shpreson që një ditë të luajë sërish për ekipin e parë të Barcës.
A do të mund të luajë përsëri? Nuk dua të them se është e pamundur. Gjithçka varet nga kapaciteti i tij. Normalisht, një njeri mesatar, josportist, kthehet në punë pas tri-gjashtë muajsh, nganjëherë edhe pas një viti. Abidalit si sportist do ti nevojitet më pak kohë, sepse ai duron më shumë si sportist profesional.
Tre-gjashtë muajt e parë janë thelbësorë. E rëndësishme është që të mos ketë infeksione, ka thënë Garcia-Valdecasas, i cili është edhe president i Organizatës ndërkombëtare për transplantimin e mëlçisë (ILTS)