271 sportistë rusë lejohen të marrin pjesë në Olimpiadën e Rios
Rio de Zhanerio, 5 gusht - Një ditë para fillimit të Olimpiadës së Rios, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) mori vendimin për të lejuar 271 sportistë rusë të marrin pjesë në këtë olimpiadë.
Nga 30 korriku, një grup i përbërë nga tre anëtarë të Bordit Ekzekutiv të KON-it miratoi vendimin e Federatave Sportive Ndërkombëtare për shqyrtimin e së drejtës së sportistëve rusë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Rios.
Në Lojërat Olimpike mund të marrin pjesë vetëm ata sportistë që plotësojnë kushtet e reja të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Ndër këto kushte përfshihen: sportistët nuk duhet të kenë dalë pozitivë në kontrollet për doping, duhet të pranojnë kontrollet për doping edhe jashtë garave e ndeshjeve etj.
Sipas këtyre kushteve, 271 nga gjithsej 387 sportistë rusë fituan të drejtën e pjesëmarrjes në Olimpiadën e Rios.
Vendimi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për mosndalimin e të gjithë sportistëve rusë për të marrë pjesë në Olimpiadën e Rios, është kritikuar nga shumë medie perëndimore.
Lidhur me këtë, kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach vuri në dukje se çdokush duhet të ketë mundësinë për të provuar pafajësinë e vet. Ai tha se vendimi është marrë me ndërgjegje të plotë dhe jo për të favorizuar njërën apo tjetrën palë:
\"Ky është një vendim për vënien e drejtësisë në sport dhe është marrë mbi bazën e fakteve. Një fjalë e urtë thotë se drejtësia është e verbër, ajo duhet të respektojë ligjet dhe të vërtetën. Kështu ka bërë edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar!\"