Zyrtari i Millosheviqit, Gjokica Stanojeviç në listën serbe në Gjakovë
Prishtinë, 18 shtator - Lëvizja Vetëvendosje!, Qendra Gjakovë, nuk e pranon certifikimin e listës "Iniciativa qytetare serbe" e cila kandidon në zgjedhjet për Kuvendin e Komunës së Gjakovës.
Ky certifikim sipas Vetëvendosjes është i paligjshëm pasi që personat e kësaj liste, që janë kandidatë për asamble në Komunën e Gjakovës nuk janë banorë të qytetit të Gjakovës dhe nuk gjenden në listën përfundimtare të votuesve për Komunën e Gjakovës.
Vetëvendosje vlerëson se "Iniciativa qytetare serbe", për më tepër është e papranueshme sepse në të gjenden emra si Gjokica Stanojeviç i cili ka qenë udhëheqës i Komunës së Gjakovës gjatë kohës së masave të dhunshme të regjimit të Millosheviqit dhe ardhja e tij e mëhershme në qytetin e Gjakovës është konsideruar si provokim nga organizata të ndryshme dhe banorët e Gjakovës.
Certifikimi i listës "Iniciativa qytetare serbe" nga KQZ sipas Vetëvendosjes vjen si pasojë e bisedimeve me Serbinë të udhëhequra nga koalicioni qeveritarë PDK-AKR dhe subjekteve tjera që marrin pjesë dhe mbështesin këto bisedime të cilat Lëvizja Vetëvendosje! i ka kundërshtuar, duke ditur që këto do të sjellin dëme të tilla që rezultojnë me shkelje të ligjit siç është rasti me certifikimin e "Iniciativës qytetare serbe".
Certifikimi i kësaj liste nga KQZ është i ndikuar politikisht dhe vjen si vazhdimësi logjike e vendimit të marrë ditë më parë nga subjektet tjera politike për heqjen e stemës nga fletëvotimet.
Lëvizja Vetëvendosje! Qendra Gjakovë kundërshton listën sepse shkel ligjet, dhe nuk është e pranueshme për qytetarët e Gjakovës.
I bëjmë thirrje qytetarëve, opinionit publik në përgjithësi si dhe përfaqësuesve të mediave të ngrenë zërin për këtë provokim dhe shkelje të paprecedentë të ccdo parimi e ligji.