Zyrtarë të lartë të AAK-së nderuan kujtimin për Heroin Pajaziti
Prishtinë, 31 janar - Zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të prirë nga Nënkryetari Ahmet Isufi dhe deputeti Daut Haradinaj, sot, në 15-vjetorin e rënies së Heroit të Kombit Zahir Pajaziti dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, kanë bërë homazhe te shtatorja e Heroit Zahir Pajaziti, në Prishtinë dhe në Kompleksin Memorial të UÇK-së, te Kulla e Orllanit.
Ata kanë nderuar kujtimin për njërin prej luftëtarëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajazitin dhe dy bashkëluftëtarët e tij, të cilët ranë më 31 janar të vitit 1997, në një betejë me forcat okupatore serbe.
Duke folur për guximin dhe heroizmin e Zahir Pajazitit dhe bashkëluftëtarëve të tij, Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së, ka thënë se ishte lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënia e djemve më të mirë të vendit tonë, ajo që trasoi rrugën e drejtë dhe të sigurt deri te pavarësia dhe shteti sovran e i pavarur i Kosovës.
Edhe dita e sotme, kur institucionet tona nxjerrin rezolutën për përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën, është fryt i luftës dhe sakrificës së Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës dhe të gjithë dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve të shumtë të kombit, që ranë në themele të shtetit dhe të lirisë sonë, ka thënë deputeti Daut Haradinaj.