Zyra e UNMIK-ut në veri, drejt mbylljes
Prishtinë, 11 qershor - Qeveria e Kosovës, ICO dhe UNMIK-u janë duke punuar në kuadër të komisioneve të përbashkëta që dosjet me të cilat ka punuar UNMIK-u në veri të kalojnë në Zyrën e re Administrative të Kosovës.
Kjo e fundit ende nuk është tërësisht funksionale pasi është në pritje të emërimit të stafit, për çka ka pasur interesim nga serbët dhe shqiptarët. Sidoqoftë, vendimi i qeverisë kosovare ka nxitur negociata që prania ekzekutive e UNMIK-ut në veri të marrë fund përfundimisht.
UNMIK-u nuk ka pranuar të komentojë këtë informatë. Është shumë herët për tu përgjigjur në pyetjet tuaja, ka thënë për Zëri, Oliver Salgado, shefi i Zyrës për informim i UNMIK-ut në Prishtinë.
Ministrja në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se tashmë po diskutohet marrja e dokumentacionit me të cilin ka punuar UNMIK-u prej kohës kur këtë zyrë e hapi kryeadministratori Michael Steiner.
Normalisht kjo zyrë kur është hapur në kohën e shefit të UNMIK-ut, Michael Steiner, është paraparë si zyrë e përkohshme, deri në momentin kur institucionet e Kosovës të jenë në gjendje të krijojnë mekanizmat e saj atje. Ky ka qenë një vendim i pritshëm edhe nga ana e UNMIK-ut, normalisht ajo zyrë atje me funksionalizimin e zyrës tonë nuk ka nevojë që të vazhdojë punën, ka thënë ministrja Çitaku.