Zyra e presidentes Jahjaga i përgjigjet Haradinajt
Prishtinë, 22 korrik - Zyra e Presidentes, Atifete Jahjaga u është përgjigjur disa paralajmërimeve të kandidatit të bllokut LDK, AAK dhe Nisma për kryeministër, Ramush Haradinaj në lidhje me çështjen e nominimit të mandatarit për formimin e qeverisë së ardhshme.
Duke kërkuar nga të gjitha palët vetëpërmbajtje nga presionet politike, Zyra e Presidentes thekson se kandidati për kryeministër do të nominohet, në respektim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë dhe bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e përputhshmërisë së nenit 84 (14) dhe nenit 95, si dhe në pajtim me procedurat dhe afatet e parapara me Kushtetutë, thuhet në reagimin e Zyrës Jahjagës.
Zyra e Presidentes rithekson faktin se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obligueshme për të gjitha institucionet e vendit dhe se do ti zbatojë me përpikëri ato.
Sqarimet nga Presidenca pasuan deklaratën e Haradinajt ku thuhej se presidentja po rrezikon ta shkel kushtetutën.
Ka mundësi që ne ta pyesim Gjykatën Kushtetuese a ka vepruar drejtë Presidentja që nuk e ka ushtruar të drejtën e vetë për ta nominuar mandatarin, pasi që ka ndodhë seanca. Presidentja po rrezikon që ajo vetë të shkelë kushtetutën, kishte deklaruar Haradinaj.
Ai e kishte paralajmëruar Jahjagën se veprimi i bllokut LDK, AAK dhe Nisma mbetet çështje e hapur, në rast se ajo nuk e shfrytëzon kohën për nominimin e mandatarit.