Zyra e BE-së kërkon auditimin e partive politike
Prishtinë, 6 dhjetor - Shefja e Zyrës së BE-së/ Përfaqësuesja Speciale e BE-së Nataliya Apostolova u takua sot me Kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin dhe shefat e komisioneve parlamentare për të diskutuar agjendën për reforma evropiane dhe auditimin e partive politike.
Ata diskutuan nevojën për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie të financimit të partive politike.
Në veçanti, diskutimet u përqëndruan në çështjet që financat e partive politike nuk i janë nënshtruar auditimeve të pavarura e as nuk janë publikuar që nga viti 2012, siç kërkohet me Ligjin për Financimin e Partive Politike.
Gjendja e tanishme e minon besimin publik në dëm të zhvillimit demokratik të Kosovës.
Palët u pajtuan që të themelohet një grup punues që të adresohet kjo çështje menjëherë. Ndër të tjera, ky grup punues do të diskutojë për mënyrat që të sigurohen ndarjet e nevojshme buxhetore për të angazhuar auditorë të pavarur të jashtëm.
Për më tepër ata do të shqyrtojnë mundësi për ndryshimin e kornizës kushtetuese ligjore në mënyrë që të mundësojnë hyrjen në fuqi dhe implementimin e plotë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, theksoi përkushtimin e tij për transparencë më të madhe ndaj publikut, si nga ana e institucioneve, ashtu edhe e subjekteve politike, në interes të qytetarëve dhe forcimit të kontrollit publik.
Veseli theksoi se që nga viti 2013, Kuvendi ka iniciuar të gjitha procedurat përkatëse, të parapara me ligj, për kontraktimin e një kompanie për auditimin e partive politike, por në mungesë të ofertave, të gjitha procedurat kanë dështuar.
Kreu i Kuvendit e konsideroi të domosdoshme gjetjen e një zgjidhjeje urgjente lidhur me këtë çështje, e cila do ti mundësonte Kosovës dhe tërë spektrit politik heqjen e kësaj stigma që po rëndon mbi të tash e disa vite.
Veseli konsideroi se baza aktuale ligjore pamundëson një zgjidhje të shpejtë dhe adekuate, prandaj, shtroi nevojën e ndryshimit të ligjit, i cili do ti hapte rrugë fillimit të këtij procesi. Për këtë, Veseli tha se ekziston vullnet nga i tërë spektri politik në vend, ndërsa theksoi zotimin e tij që ky proces të rezultojë suksesshëm.
Kryetari Veseli, njëherësh lideri i PDK-së, dha përkushtimin që partia e tij të publikojë raportet financiare që nga viti 2012 dhe u shpreh se si Kryetar i Kuvendit ai do t\'i inkurajojë partitë e tjera politike që të ndjekin këtë shembull.
Znj. Apostolova mirëpriti përkushtimin e tij dhe ofroi që edhe ajo t\'u qaset liderëve të partive të tjera politike për të siguruar që raportet vjetore financiare dhe ato të fushatave politike, të hapen për publikun.
Në këtë drejtim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të zbatojë kërkesat ligjore duke përdorur të gjitha opsionet që ata kanë në dispozicion sipas ligjit.
Të gjithë pjesëmarrësit u pajtuan se transparenca dhe integriteti i partive politike dhe proceseve zgjedhore janë të një rëndësie themelore për kredibilitetin dhe legjitimitetin e sistemit demokratik të Kosovës, të respektit ndaj votuesve të saj dhe besimin e tyre tek ata që i përfaqësojnë qytetarët ose që kërkojnë t\'i përfaqësojnë ata.
Znj. Apostolova, duke përsëritur angazhimet që janë marrë përsipër në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane, theksoi se nevojiten veprime urgjente nga partitë politike dhe Kuvendi, përpara zgjedhjeve të ardhshme, në mënyrë që tu mundësohet qytetarëve që të bëjnë zgjedhje demokratike dhe të informuar si dhe premtoi mbështetje të fuqishme të BE-së për ta arritur këtë, përfshirë edhe ofrimin e këshillave ligjore e politike, si dhe ndihmë