Zvicra konfirmon ndihmën për Kosovën
Prishtinë, 29 tetor - Ministri i Mbrojtjes Civile dhe i Sportit i Zvicrës, Ueli Maurer tha se vendi i tij, vitin tjetër, Parlamenti i Zvicrës do të votojë për vazhdimin e mandatit të trupave të Zvicrës në kuadër të KFOR-it në Kosovë gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin në detyrë Jakup Krasniqi.
Ai vlerësoi zhvillimet e përgjithshme në Kosovë dhe shprehu bindjen e tij se institucionet e Kosovës do të kapërcejnë suksesshëm edhe sfidat që kanë para tyre.
Duke çmuar rolin dhe kontributin e shumë qytetarëve të Kosovës të cilët jetojnë, punojnë dhe kanë përfunduar shkollimin në Zvicër, Zvicra do të vazhdojë të punojë në forcimin e partneritetit me Kosovën për kapërcimin e të gjitha sfidave, tha ai.
Ndërsa Krasniqi kërkoi nga ministri Maurer që Zvicra, si një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, si dhe një nga vendet e cila ka dhënë mbështetje financiare si dhe mbështetje ushtarake, me prezencën e saj në kuadër të trupave të KFOR-it, të vazhdojë mbështetjen e saj për forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe të shqyrtojë mundësinë për dërgimin e vëzhguesve të saj në zgjedhjet e pritshme parlamentare.
U.D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi, duke folur për marrëdhëniet e shkëlqyeshme që ekzistojnë në mes të dy vendeve, tha se Zvicra për shumë qytetarë të vendit tonë është shtëpi e dytë, duke pasur parasysh faktin se atje jetojnë dhe punojnë një numër shumë i madh i qytetarëve të Kosovës.
Në Zvicër jetojnë dhe punojnë shumë qytetarë tanë të cilët kanë kontribuuar shumë në fuqizimin e jetës dhe të ekonomive familjare në Kosovë. Kemi shumë arsye që këto raporte ti forcojmë dhe ti zhvillojmë edhe më shumë në të ardhmen, theksoi z. Krasniqi.