Zhbogar u dorëzon Raportin e Progresit partive opozitare
Prishtinë, 17 tetor - Deputetë të partive opozitare pritën përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar . Zhbogar u dorëzoi nga një kopje të Raportit të Progresit përfaqësuesve të LDK-së, Vetëvendosjes e AAK-së
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, iu ka dorëzuar sot nga një kopje të Raportit të Progresit për Kosovën për vitin 2013, përfaqësuesve të tri subjekteve opozitare në Kuvendin e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, gjegjësisht, deputetëve: Teuta Sahatqija (LDK), Albin Kurti (VV) dhe Blerim Shala (AAK).
Në takim, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë i bëri një prezantim raportit dhe shpalosi pikat kryesore në të cilat ai fokusohet. Zhbogar u ndal në zhvillimet kryesore nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë periudhës njëvjeçare, të cilat trajtohen në këtë raport, si dhe në sfidat dhe objektivat e saj për të ardhmen.
Sahatqija, Kurti e Shala, ndërkaq, prezantuan qëndrimet e subjekteve të tyre politike përkitazi me vlerësimet e bëra në raport.
Deputetja Teuta Sahatqija konfirmoi përkrahjen e LDK-së për procesin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe vlerësoi se kjo parti ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Ajo e konsideroi të dëmshëm faktin se edhe në këtë raport përmenden dukuri negative, si: korrupsioni e krimi i organizuar, trafikimi me qenie njerëzore e mungesa e sundimit të ligjit etj.
Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti, u ndal në qasjen ndaj Serbisë, duke vlerësuar se së pari duhet të bëhet ndërtimi i shtetit të Kosovës, demokratizimi i Serbisë dhe pastaj evropianizimi i saj. Ai tha se në raport me Serbinë nuk duhet të përsëriten gabimet e së kaluarës.
Blerim Shala, deputet nga radhët e AAK-së, theksoi se do të ishte mirë që takimet për raportet e ardhshme të progresit të mos mbahen ndarazi, por të jenë të përbashkëta me partitë e tjera, në mënyrë që të ketë mundësi më të mëdha për të kontribuar në analizën e raportit.