Zhbogar: Perspektiva evropiane është konfirmuar, duhet ende progres
Prishtinë, 8 shtator - Sot Komisioni Evropian ka publikuar Pakon për Zgjerim dhe Raportet e Progresit 2014 për secilin vend në zgjerim, përfshirë Kosovën. Samuel Zhbogar, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Përfaqësuesi Special i BE-së ka prezantuar të gjeturat kryesore për Raportin e Progresit në një konferencë shtypi të mbajtur në Qendrën Kulturore dhe Informative të BE-së në Prishtinë.
\"Gjatë viteve të fundit, perspektiva evropiane e Kosovës e ka mbajtur hapin dhe kjo është konfirmuar. Argumentet kryesore për këtë janë nisja e MSA-së, zgjedhjet e drejta dhe transparente, progresi në liberalizimin e vizave, Kosova ka marrë përgjegjësitë në sundimin e ligjit, duke përfshirë edhe gjykatën speciale dhe bashkëpunimin e mirë me EULEX-in, dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, tha Zhbogar.
Në fund të korrikut të këtij viti, BE-ja dhe Kosova kanë inicializuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. BE-ja dhe Kosova janë duke u angazhuar për të zhvilluar dialogun politik, bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet tregtare, për të përafruar legjislacionin e Kosovës me legjislacionin e BE-së dhe për të bashkëpunuar në një numër të gjerë fushash politike, si në drejtësi, liri dhe siguri, reformim të administratës publike, energji dhe mjedis. Duke përmbyllur dhe nënshkruar MSA-në, BE-ja dhe Kosova do të çimentojnë raportin e tyre dhe të vendosin perspektivën evropiane të Kosovës.
Të dy palë zgjedhjet, lokale dhe parlamentare, janë kryer me sukses në mbarë Kosovën. Zgjedhjet u monitoruan nga vëzhgues të BE-së. Procesi zgjedhor në të dy rastet është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme në krahasim me zgjedhjet e kaluara dhe ato janë menaxhuar në mënyrë efikase.
Kosova ka arritur progres në dialogun për liberalizimin e vizave. Raporti i dytë ka theksuar progresin e arritur në disa fusha, duke përfshirë riatdhesimin dhe riintegrimin, menaxhimin e kufirit, azilin, migrimin dhe sistemin e drejtësisë penale. Zbatimi i ligjeve dhe strategjive dhe krijimi i të dhënave të besueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë shumë të rëndësishme për përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave.
Kosova gjithashtu ka marrë më shumë përgjegjësi në fushën e sundimit të ligjit pas rikonfigurimit të EULEX-it, dhe është pajtuar për krijimin e një gjykate speciale. Autoritetet gjyqësore kanë përballuar mirë edhe sfidat strukturore, si reformat gjyqësore gjithëpërfshirëse në vitin 2013 dhe procesin e shkrirjes së disa funksioneve të EULEX-it te autoritetet lokale.
Procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë ka vazhduar, sidomos në bazë të \"Marrëveshjes së Parë të Parimeve\" të prillit 2013. Kjo ka çuar në një numër të ndryshimeve të pakthyeshme në vend, me komunat në veri të Kosovës që marrin pjesë në të dy zgjedhjet lokale dhe parlamentare, dhe në zhveshjen e sistemit policor dhe të sistemit serb të drejtësisë. Kosova i është bashkuar të gjitha organizatave kryesore rajonale, përfshirë SEECP.
Ka shumë fusha në të cilat Komisioni Evropian pret progres të mëtejshëm.
Zhbogar tha: \" Qytetarët e Kosovës presin dhe meritojnë një jetë më të mirë dhe një përmirësim të gjendjes ekonomike. Qeveria e re ka nevojë për ri-aktivizim të reformave të Kosovës. Ajo duhet të përqendrohet në një sërë reformash gjithëpërfshirëse. Midis tyre, prioritet janë reformat ekonomike strukturore për të zvogëluar papunësinë. Reformat duhet të përfshijnë edhe reformën zgjedhore dhe reformën e administratës publike.
Kosova duhet të japë rezultate në zbatim dhe të dhëna të besueshme në sundimin e ligjit. Pavarësia e gjyqësorit dhe emërimi me kohë i gjyqtarëve dhe anëtarëve të Këshillit Gjyqësor për të siguruar vazhdimësinë e punës duhet të trajtohen me prioritet. Numri i rasteve në pritje për tu zgjidhur dhe sigurimi i drejtësisë së paanshme, të pavarur mbetet një sfidë. Miratimi i ndryshimeve në kushtetutë dhe legjislacion kryesor të ndërlidhur me themelimin dhe procedurat e gjykatës speciale të zhvendosur janë gjithashtu një prioritet kryesor.
Qeveria e re duhet të tregojë tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Një vullnet i qartë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar është thelbësor për luftën kundër infiltrimit kriminal të sistemeve politike, ligjore dhe ekonomike.
Në fushën e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, legjislacionit kyç dhe strategjitë duhet të miratohen me prioritet: \"Pakoja kundër diskriminimit\" (Ligji kundër diskriminimit, Ligji për barazinë gjinore, ligji për institucionin e Avokatit të Popullit), strategjia e të drejtave të njeriut dhe ligji për fenë. Duhet të sigurohet pavarësia dhe qëndrueshmëria ekonomike e mediave. Lidhur me mbrojtjen e pakicave, duhet të implementohet Strategjia për integrimin e komuniteteve romë, Ashkali dhe Egjiptas.
BE-ja pret që qeveria e re po ashtu do të vazhdojë procesin e dialogut për normalizim me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më sot.
Në fund, Zhbogar po ashtu komentoi situatën politike aktuale në Kosovë:
\"Katër muaj pas zgjedhjeve të suksesshme, vendi është në rrugë pa krye. Shihet stagnim i qartë në mundësinë apo gatishmërinë e elitës politike për të zgjidhur problemet. Kosova tashmë po ndjen pasojat e vonesës në formimin e institucioneve dhe ekziston një numër i madh çështjesh në të cilat ka për të punuar Kuvendi dhe Qeveria. Pra, duke paraqitur këtë raport dhe progresin e vitit të kaluar, apeloj te liderët tuaj që të vënë në rend të parë interesat e Kosovës dhe qytetarët e saj dhe të gjejnë një rrugë përpara, tha ai.