18 Janar 2025

Zhbogar i dorëzoi Jahjagës e Thaçit Raportin e Progresit për Kosovën

Prishtinë, 16 tetor - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri, Hashim Thaçi pranuan nga Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, Raportin e Progresit 2013 për Kosovën, të përpiluar nga Komisioni Evropian, i cili detajon përparimin e gjithëmbarshëm të Kosovës dhe vlerëson reformat që vendi ynë i ka ndërmarrë karshi anëtarësimit në BE.

Shefi i Zyrës së BE-së, zotëri Zhbogar e cilësoi raportin mbi përparimin e Kosovës si shumë të mirë, duke e vlerësuar atë si një përmbledhje të punës së institucioneve të Republikës së Kosovës dhe një udhërrëfyes për thellimin e reformave.

Zhbogar tha se Raporti i Progresit vlerësoi pozitivisht punën e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian që udhëhiqet nga Presidentja në ndërtimin e konsensusit kombëtar.

Presidentja Jahjaga e mirëpriti raportin e Komisionit Evropian për Kosovë, duke vlerësuar se është e kënaqur me të arriturat e këtij viti në kuadër të agjendës evropiane, dhe u përkushtua që prioritetet e identifikuara në raport do të adresohen me seriozitet nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe qytetarët e saj.

Presidentja Jahjaga theksoi se ndihma e Bashkimit Evropian në procesin e reformave, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, është e nevojshme dhe e domosdoshme.

Presidentja e Republikës së Kosovës po ashtu përshëndeti vendimin e Komisionit Evropian për të lansuar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën më 28 tetor, të cilat synohet të përfundojnë në pranverën e vitit të ardhshëm.

Edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në një takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Me këtë rast, z. Zhbogar edhe në mënyrë zyrtare i dorëzoi kryeministrit Thaçi Raportin e Progresit për Kosovën.

Kryeministri Thaçi falënderoi Komisionin Evropian, për punën që po bënë në mbështetje të institucioneve dhe shoqërisë kosovare, dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për avancimin e proceseve që kanë të bëjnë me përmbushjen e obligimeve për rrugën e integrimeve evropiane.

Raporti i Progresit është pozitiv dhe real, që vlerëson raportet e Kosovës me shtetet fqinje, si një e arritur për paqen, stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit në përgjithësi – theksoi kryeministri Thaçi gjatë pranimit të Raportit të Progresit.

Kryeministri Thaçi, theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë fuqishëm me të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë në implementimin e të gjitha prioriteteve tona të përbashkëta, për zbatimin në jetë të të gjitha kritereve demokratike, qoftë reformat në drejtësi, në ekonomi, dhe në politikë.

"Ne do t’i marrim të gjitha këto rekomandime me seriozitetin dhe përgjegjësinë më të lartë shtetërore dhe institucionale, sepse kjo është një etapë e re për Kosovën. Institucionet e Kosovës janë të angazhuara maksimalisht për të punuar në përmbushjen e këtyre kritereve  dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe në të ardhmen" - u shpreh kryeministri Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)