Zgjidhja e çështjes shqiptare nuk ka mbaruar
Uashington, 15 korrik - Ish-kongresisti dhe kryetari i LQSHA-së, Joe DioGuardi ka deklaruar se çështja shqiptare nuk ka përfunduar në Ballkan.
Është e rëndësishme tua kujtojmë amerikanëve se puna ende nuk ka mbaruar. Duhet ti jepet më shumë siguri popullatës shqiptare në Ballkan. Nuk ka të drejta të barabarta për shqiptarët në Maqedoni ose për ata në Luginën e Preshevës.
Kemi çështjen e Malit të Zi që po përpiqet të anëtarësohet në Bashkimin Evropian ndërkohë që ka torturuar 14 shqiptarë, 3 prej të cilëve shtetas amerikanë. Kjo është një çështje që të paktën duhet të shikohet nga qeveria e këtij vendi para se të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe ne jemi duke e ndjekur këtë, ka thënë shqiptaro amerikani, Dioguardi në një intervistë për Zërin e Amerikës në Uashington.
25 vjet më parë, më 15 Korrik të vitit 1987, u paraqit për herë të parë në kongresin amerikan një rezolutë për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Autori i rezolutës ishte anëtari i atëhershëm i Dhomës së Përfaqësuesve Joe Dioguardi. Rezoluta 162 u mbështet nga 57 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuese.
Joe Dioguardi, sot kryetari i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, që lobon për çështjet shqiptare në Shtetet e Bashkuara, thotë se megjithëse në 25 vitet e fundit janë shënuar përparime të shumta, puna ende nuk ka mbaruar