Zgjedhjet provë e zhvillimit të shtetit
Prishtinë, 8 qershor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga votoi në qendrën e votimit në sallën 1 Tetori në Prishtinë.
Në një deklaratë dhënë me këtë rast, Presidentja Jahjaga, ka deklaruar se këto zgjedhje dëshmojnë demokratizimin dhe përcaktojnë edhe shkallën e pjekurisë së shtetit dhe shoqërisë sonë gjithëpërfshirëse.
Sot e kreva obligimin tim qytetar dhe ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, në çdo cep të shtetit tonë, që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore. Vetëm kështu ata do ti ndihmojnë vendit dhe do të përcaktojnë të ardhmen e shtetit të tyre. Dita e sotme është një provë e zhvillimit të gjithmbarshëm të shtetit tonë, ka deklaruar ajo.