Zgjedhjet për kryetar të Istogut shtyhet për 11 prill
Prishtinë, 25 shkurt - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka nënshkruar sot vendimin, sipas të cilit, zgjedhjet e parakohshme lokale për Kryetar të Komunës së Istogut në Republikën e Kosovës, më parë të shpallura për datën 4 prill 2010, të mbahen më 11 prill 2010.
Vendimi është marrë duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në Nenin 56, pika 3 (b) të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, dhe Nenin 4, pikat 1 dhe 4 dhe Nenin 11, pikat 1 dhe 2 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës, si dhe në marrëveshje me partitë politike dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës udhëzohet që ti ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve lokale në përputhje me këtë vendim dhe ligjin në fuqi.
Vendimi i Presidentit të Republikës së Kosovës i marrë më 22 shkurt 2010, me të cilin shpall zgjedhjet e parakohshme lokale për Kryetar të Komunës së Istogut në Republikën e Kosovës për datën 4 prill 2010, shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij Vendimi, në datën e nënshkrimit.
Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, vendimin për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të komunës së Istogut e ka marrë pasi eshte konstatuar se 4 prilli, e shpallur fillimisht si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, është festë zyrtare në Republikën e Kosovës, Dita e Pashkëve, e cila nuk ka një datë të fiksuar dhe lëviz nga viti në vit.
Këtë vendim Presidenti e ka marrë në pajtim të plotë me ligjet në fuqi, si dhe pas konsultimeve me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe përfaqësuesit e katër partive politike që do të marrin pjesë në garën për kryetar të komunës së Istogut.
Zyra e Presidentit sqaron opinionin se në Zyrën e Presidentit nuk ka pasur asnjë reagim nga asnjë subjekt politik i vendit, as nga subjektet garuese për zgjedhjet që do të mbahen në komunën e Istogut më 11 prill.