Zgjedhjet parlamentare, në 2014-n?
Prishtinë, 12 qershor - Në rast se nuk do të respektohet marrëveshja PDK-LDK-AKR për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, atëherë nuk do të ketë respektim të kësaj marrëveshje as për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ndaj kërkesës së presidentes Atifete Jahjaga lidhur me mandatin e saj. Nëse sdo të respektohet marrëveshja PDK-LDK-AKR, për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, atëherë sdo të ketë respektim të marrëveshjes as për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare. Si rezultat marrëveshja PDK-LDK-AKR, e ndërmjetësuar nga amerikanët, do të bie poshtë dhe zgjedhjet parlamentare do të mbahen në vitin 2014, ka thënë për Epokën e re një zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në kushte anonimiteti.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka thënë se respektimi i marrëveshjes PDK-LDK-AKR është obligues për të gjithë. LDK-ja qëndron prapa marrëveshjes së arritur më herët dhe e respekton vendimin, gjegjësisht rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Çdo sjellje tjetër është joserioze, kushdo qoftë që e bën atë. Respektimi i marrëveshjes në mes të tri partive është obligues, prandaj zgjedhjet duhet të mbahen sipas afateve të parapara mbi bazën e kësaj marrëveshje, ka thënë Beqiri për Epokën e re.
Ai ka treguar se mosrespektimi i marrëveshjes e vë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve shtetërore. Nëse ka tentime të tilla për mosrespektimin e marrëveshjes, kjo e vë në pikëpyetje funksionimin e institucioneve shtetërore, sepse atëherë humbin kredibiliteti dhe besueshmëria se në këtë vend nuk mund të bëhet kurrfarë marrëveshje.
Mosrespektimi i marrëveshjes do të ishte një dështim i atyre që tentojnë të mos e respektojnë marrëveshjen. LDK-ja është parti serioze dhe dëshiron që vendimet e Kuvendit dhe marrëveshjet e arritura të respektohen në plotni, ka thënë Beqiri.
Edhe sekretari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Ibrahim Makolli, ka thënë se duhet të ketë respektim të marrëveshjes PDK-LDK-AKR në tërësi. Vendi nuk do të duhej të ketë disa palë zgjedhje në të njëjtën kohë sepse praktika e deritanishme e ka treguar këtë, përkundër fakti që mbajtja e tyre ndaras është e kushtueshme.
Por, besojmë shumë se do të respektohet në përpikëri marrëveshja në mes të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së, dhe zgjedhjet do të mbahen sipas afateve të parapara. Shtyrje nuk duhet të ketë në asnjë rast. Marrëveshjet duhen respektuar në plotësi, ka thënë Makolli për Epokën e re.
Në këtë kontekst, ai ka theksuar se mosrespektimi i marrëveshjeve për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale e humb kuptimin e arritjes së çfarëdo marrëveshje tjetër. Nëse nuk respektohen marrëveshjet për zgjedhje, atëherë çfarë kuptimi kanë marrëveshjet?! Pra, cili është kuptimi i një marrëveshje nëse ajo nuk respektohet? Duhet të jemi parimorë dhe ti respektojmë gjërat të cilat vendosen, sepse krizat politike zakonisht zgjidhen me marrëveshje politike, prandaj ato duhen respektuar.
Pra, AKR-ja është pro respektimit të plotë të marrëveshjes së arritur në mes të PDK-së, LDK-së dhe AKR-së vitin e kaluar, ka theksuar Makolli.