Zgjedhjet në Veri, sfidë përpilimi i listave të zgjedhësve
Mitrovicë, 11 mars - Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka pritur të enjten në takim Fletcher Burton, zëvendësshef i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ZCN) në Kosovë, i cili shoqërohej edhe nga zëvendësshefi i zyrës së ZNC-së në Mitrovicë, Xhef Billi dhe këshilltari Mark Deverux, me të cilët ka biseduar për gjendjen aktuale në këtë komunë.
Kryetari Kastrati i ka njoftuar zyrtarët e ZNC-së për angazhimet tij që kanë të bëjnë më krijimin e një ambienti më të mirë për jetë për të gjithë qytetarët e komunës pa dallim të përkatësisë së tyre etnike. Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë për krijimin e kushteve më të mira për jetë për të gjithë, mirëpo qytetarët serbë që jetojnë në veri vazhdojnë të jenë të manipuluar nga Beogradi.
Në këtë kontekst, ai theksoi se serbët e veriut i kanë të gjitha të drejtat sikur të gjithë qytetarët e Kosovës, mirëpo vazhdojnë të mos i shfrytëzojnë ato. Ne kemi nevojë që bashkërisht me komunitetin ndërkombëtar të punojmë dhe të angazhohemi që atyre tu sqarohet se përfshirja në jetën institucionale të Republikës së Kosovës është në të mirë të tyre.
Kryetari Kastrati ka përmendur me këtë rast disa shembuj konkret të angazhimit të komunës në të mirë të qytetarëve të minoritet serb. Ai ka thënë se banorëve serbë të Frashërit, me të cilët është takuar para disa ditësh ju ka premtuar përmbushjen e të gjitha kërkesave të tyre reale. Ata kanë kërkuar organizimin e transportit çdo dy-tre ditë, ndërsa ne ju kemi ofruar transport prej veriut në jug përditë. Ata kanë kërkuar renovimin e varrezave të tyre në këtë fshat dhe ne i kemi mbështetur.
Në këtë takim, kryetari Kastrati, ka shtruar edhe shqetësimet e banorëve shqiptarë të veriut, në lidhje me zgjedhjet lokale që pritet të organizohen nga Qeveria e Republikës së Kosovës në veri të Mitrovicës. Ai është interesuar se a do të mund të votojnë ata që kanë qenë banorë të veriut, por që janë të zhvendosur, mandej se a do tu lejohet serbëve që jetojnë në veri, por që janë të komunave të tjera që të votojnë etj.
Në anën tjetër, zëvendësshef i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ZCN) në Kosovë, Fletcher Burton, shprehu respektin e lartë për qasjen konstruktive të kreut të komunës në lidhje me proceset aktuale politike. Ai ka vlerësuar se angazhimi për zgjidhjen e çështjeve praktike është rruga më e mirë për tejkalimin e problemeve.
Ndërsa për procesin e përgatitjes për zgjedhjet lokale në veri, zëvendësshefi i zyrës së ZNC-së në Mitrovicë, Xhef Billi, tha se sfidë mbetet përpilimi i listave të zgjedhësve. Ndërsa për shqetësimet e ngritura nga kryetari Kastrati, ai sqaroi se edhe për këto zgjedhje do të vlejnë rregullat e njëjta të KQZ-së sikur në pjesët tjera të Kosovës.