Zgjedhjet në veri, në dorë të Serbisë
Mitrovicë, 8 maj - Ndërkohë që kanë mbetur edhe pak muaj deri në shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale nga ana e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, ende vazhdon të mbetet e paqartë nëse ato do të mund të organizohen edhe në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të vendit.
Derisa drejtues të institucioneve shprehen të bindur se zgjedhjet lokale do të mbahen në tërë vendin, përfshirë edhe veriun, analistët politikë thonë se për veriun vendos Serbia.
Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Arbër Vllahiu ka thënë se procedurat që do të ndiqen për zgjedhjet në veri janë të njëjta me ato të deritashme.
Zgjedhjet lokale shpallen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës njëkohësisht dhe presidentja do të veprojë konform ligjit dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe do ti shpall në afatin e përcaktuar ligjor, ka thënë Vllahiu.
Sipas tij, është qëndrim i vazhdueshëm i presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, që prej ditës së parë të mandatit të saj, se gjendja në këtë pjesë të vendit, kërkon vendosjen e rendit dhe të sundimit të ligjit si dhe shtrirjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës në gjithë territorin e vendit.
Marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet kryeministrave të të dyja shteteve, duhet të zbatohet në tërësi për të ndihmuar lehtësimin e jetës së qytetarëve, për të zhbërë strukturat ilegale dhe paralele dhe për të vendosur qeverisjen e zgjedhur lokale legale dhe legjitime të votuar nga vetë qytetarët e kësaj pjese, përmes procesit zgjedhor të Republikës së Kosovës, ka thënë Vllahiu.
Tutje sipas tij, qytetarët serbë të komunave në veri të vendit, janë qytetarë të barabartë të Republikës së Kosovës, i gëzojnë të gjitha të drejtat si të gjithë qytetarët e tjerë dhe është e nevojshme përfshirja e tyre në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës si vullnet i shprehur i lirshëm i tyre nëpërmjet daljes në zgjedhje.
Edhe Republika e Serbisë është pajtuar me marrëveshjen e Brukselit, si palë e barabartë, që më mos ti financojë strukturat e deritashme ilegale dhe paralele dhe të mos i organizojë dhe të mos i ndihmojë ato, ka thënë ai.
/Zëri/